Të zhdukurit e komunizmit, kërkohet ngritja e varrezave memoriale për 4500 të vrarë

Nga A2 CNN
23 Qershor 2021, 13:42 | Aktualitet
Të zhdukurit e komunizmit, kërkohet ngritja e varrezave memoriale

Unioni Mbarëkombëtar i të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë kërkon ngritjen e një parcele Përkujtimore për 4 mijë e 500 të zhdukurit nga regjimi komunist. Iniciativës i janë bashkuar edhe komunitetet fetare të vendit tonë.

Osman Kaceli është një prej mijëra të persekutuarve të sistemit komunist. Një shpërthim në ambasadën sovjetike nxiti autoritetet e kohës të pushkatonin 22 qytetarë, mes të cilëve edhe babain e Osmanit, asokohe 43 vjeç.

Jetim dhe i persekutuar, kështu nisi jeta për Osman Kacelin dhe fëmijët e familjes së tij.

“Isha vetëm 9 vjeç. Ishim 7 fëmijë dhe nëna që na çuan në Skrapar. Motra më e vogël 3 vjeç, më e madhja 17. Kemi punuar punë të rënda”.

Osmani e quan veten me fat pasi në vitin ‘93 arriti të gjejë eshtrat e të atit. Por 30 viteve pas daljes nga regjimi komunist, janë me mijëra të pushkatuar të cilët nuk kanë një varr.

“Kërkojmë të kemi ndërtimin e varrezave memoriale pas universitetit të Tiranës për 4500 të zhdukurit”.

Iniciativa është mbështetur edhe nga komunitetet fetare të vendit tonë.

“Varrezat janë përkujtimore, e shkuara dhe e ardhmja e një kombi”. 

“Misionin Kombëtar i Kujtesës” është angazhimi që u firmos simbolikisht nga drejtuesit e komuniteteve fetare së bashku me kreun e Unionit mbarëkombëtar të të përndjekurve politike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos