“Mes çarçafëve” është titulli i shfaqjes më të re të teatrit shëtitës. Kiço Londo vijon misionin e tij artistik në rrethe, këtë javë me aktoren Yllka Mujo dhe Ermira Hysaj.
Thuajse 17 vite pa punuar me Yllka Mujon. Kështu nis biseda me Kiço London, regjisorin e shfaqjes ‘Mes çarçafëve’.
Ai e thotë këtë me krenarinë e një regjisori që është i bindur se vepra është po kaq e fortë sa një artiste si Yllka Mujo në skenë. Bashkë me aktoren Ermira Hysaj duket se kanë një mision, ta bëjnë publikun të dalë nga teatri duke reflektuar.

Subjekti i veprës është i thjeshtë, por tronditja e madhe tregon Londo.”Është vepër që fal edhe mjeshtërisë së aktorëve e vodhi heshtjen e gjatë, publiku rri si i elektrizuar për 70 minuta”, shton ai.
Edhe pse e gjejmë në pedonalen e qytetit, ku për pak orë bëhen dy vite që kur godina e Teatrit Kombëtar u prish, dy vite po nga largimi i tij prej ndërtesës së Teatrit Eksperimental, e thuajse po aq pa një zyrë, Londo vijon të ekspozojë posterat e shfaqjeve që jep në rrethe po këtu.
Teatri shëtitës shkon në Durrës të mërkurën të enjten dhe të premten, ndërsa sapo ka marrë duartrokitjet e teatrit të Elbasanit. (A2 Televizion)