Tension e përleshje në protestë, Basha: S'ka zgjedhje me Ramën

Nga A2 CNN
28 Mars 2019, 14:10 | Politikë

Përplasje, tension, lëndë tymuese, përpjekje për të çarë kordonin e policisë, këto ishin momentet që u vunë re sot në protestën e organizuar nga opozita në sheshin përpara godinës së Parlamentit. Për rreth dy orë e gjysmë, që nga ora 9:30, qytetarët së bashku me drejtues e përfaqësues të partive opozitare qëndruan në protestën e radhës, me apelin kryesor atë të largimit të Kryeministrit Rama.

Uniformat blu kishin rrethuar godinën e Parlamentit, ndërsa nga ana e tyre protestuesit disa herë u përpoqën për të çarë kordonin e policëve, duke u konfrontuar mes tyre. Ndërsa nuk munguan dhe tymuesit e shashkat nga ana e protestuesve, policia ndoqi të njëjtën praktikë si në protestën e kaluar duke mos përdorur as gaz lotsjellës e as ujë ndaj qytetarëve të mbledhur në këtë tubim.

https://a2news.com/2019/03/28/perleshje-dhe-tym-protesta-ne-foto/

Tensionet e para u shënuan në pedonalen pranë Ministrisë së Brendshme, e cila ishte bllokuar ana e policisë, por banorët e Unazës së Re tentuan të kalojnë përmes kësaj rrugë për t’iu bashkuar pjesës tjetër të protestuesve përpara parlamentit.

Më pas të gjithë protestuesit u bashkuan në sheshin para parlamentit, ku me pankarta në duar dhe me fjalimet e përfaqësuesve opozitarë, e cilësuan parlamentin ilegjitim, të mbushur me kriminelë dhe njerëz të papërgjegjshëm që mendojnë se përfaqësojnë popullin. Ndërsa kryefjala e të gjitha fjalimeve dhe brohoritjeve të kësaj proteste ishte kërkesa për largimin e kryeministrit Rama.

https://youtu.be/0FlDZa7E7jQ

“Për gjashtë vite me radhë kjo bandë kriminale vodhi dhe varfëroi shqiptarët, i gjobiti dhe ju rriti çmimet e kostos bazë të jetës. Ky është njeriu që u bë simbol i krizës ekonomike, mungesës së shpresës për çdo shqiptar. Arma e tij gjatë këtyre viteve ka qenë mashtrimi dhe propaganda e ndyrë. Njëlloj saç mund të ngjallet kufoma e Enver Hoxhës, mund të ngjallet edhe kufoma politike e Edi Ramës. E di që keni ardhur për t’i dhënë fund regjimit të Maduros së Ballkanit dhe ta përcjellim për në qeli apo azil politik”
Lulzim Basha, Kryetar i PD

https://a2news.com/2019/03/28/alimadhi-dhe-elezi-zyrtarisht-deputete-borova-seancen-e-ardhshme/

“Është e vërtetë që edhe ne politikanët kemi gabimet tona, por më mirë vonë se sa kurrë. Djegia e mandateve ishte e vetmja mundësi për të treguar edhe një herë që interesi publik është edhe më i rëndësishëm se interesi i Ramës. Ishte një “mea culpa” ndaj jush motra dhe vëllezër”
Monika Kryemadhi kryetare e LSI

https://a2news.com/2019/03/28/balla-basha-nje-huligan-nuk-eshte-rastesi-qe-ka-protesta-ne-tirane-podgorice-dhe-beograd/

Pas disa tentativave për të çarë kordonin e policisë dhe në përfundim të fjalimeve të përfaqësuesve opozitarë, protestuesit nisën marshimin në drejtim të Ministrisë së Brendshme, për ta mbyllur tubimin në selinë e Demokratike, ku kryetari Lulzim Basha mbajti sërish fjalën para protestuesve.

“Orët e kësaj bande po numërohen mbrapsht me çdo protestë si kjo e sotmja”, tha Basha. “Kush nuk e ka kuptuar, le ta kuptojë: zgjedhje me Edi Ramën nuk do të ketë. Pakt me Maduron e Ballkanit nuk do të ketë. Kjo qëndresë ka nisur për t’i kthyer qeverisjen çdo shqiptari dhe nuk do të ndalet deri sa ta bëjë realitet. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos