Tensione në Veri, përshkallëzon situata në Zveçan, sulmohen edhe gazetarët

Nga A2 CNN
29 Maj 2023, 15:15 | Kosova
Tensione në Veri, përshkallëzon situata në Zveçan,

Me prani të shtuar të policisë së Kosovës dhe KFOR-it; protestues që tentojnë të hyjnë me forcë në godinat komunale dhe gaz lotsjellës. Pamjet që erdhën nga Veriu i Kosovës, këtë të hënë, tregojnë se tensionet mbeten të larta.

Grupe qytetarësh serbë u mblodhën pranë objekteve komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç për të mos lejuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit.

Situata përshkallëzoi në Zveçan, ku siç bëri të ditur policia, protestuesit u përpoqën të hyjnë në objektin e komunës përmes dhunës dhe përdorimit të gazit lotsjellës.

“Policia u detyrua të përdorë mjetet e ligjshme, si spraj, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll”, thuhet në deklaratë.

Lista Serbe zhvilloi bisedime me përfaqësues të KFOR, të cilëve siç tha, u kishte paraqitur dy kërkesa për tërheqjen e protestuesve nga godinat.

"Kërkesat tona janë që sherifët, siç e quajnë veten, të paligjshëm, të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe t'i udhëheqin të afërmit e tyre. Dhe, të gjitha njësitë speciale në ndërtesën e komunës, përreth komunës, të tërhiqen në jug, sepse ky nuk është stacion policie, është bashki e qytetit."

Por, protestuesit në Zvecan, nuk i përfillën thirrjet e kryetarit të Listës serbe, Goran Rakiç, për të lejuar kalimin e dy automjeteve të policisë së Kosovës.

Manifestuesit, mes të cilëve edhe persona me maskë e akuzuan për tradhti e madje hodhën edhe shishe kundër Rakiç. Protestuesit dëmtuan edhe automjetet e mediave që po ndjekin situatën në terren duke sulmuar edhe gazetarët.

Edhe ekipi i A2CNN që po ndjek zhvillimet në veri, u detyruar të fshijë planet e trazirave në Zveçan, nën presionin e një grupi serbësh.

Edhe në Zubin Potok, u aktivizuan sirenat e alarmit, ndërsa një grup qytetarësh serbë protestoi para ndërtesës së komunës.

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR u bëri thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet që mund të nxisin tensione apo të përshkallëzojnë situatën. Në një deklaratë, KFOR siguroi se është i gatshëm të ndërmarrë të gjitha masat për të ofruar mjedis të sigurt, në mënyrë neutrale dhe të paanshme.

Misioni konfirmoi se mëngjesin e 29 majit ka shtuar praninë në komunat veriore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos