Takon Kurtin dhe Vuçiçin këtë javë, Lajçak njofton vizitë në Serbi, por nuk shkon në Kosovë

Nga A2 CNN
28 Gusht 2023, 12:54 | Kosova
Takon Kurtin dhe Vuçiçin këtë javë, Lajçak

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, ka nisur sezonin e ri politik me vëmendje të madhe në Ballkanin Perëndimor. Ai është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë pjesëmarrjes në forumin Alpbah në Austri.

“Ndërkohë që ritmi në Bruksel u ngadalësua gjatë verës, sfidat në Ballkanin Perëndimor nuk u zhdukën. Një fushë e veçantë që mbeti lart në agjendën time është situata në veri të Kosovës”, njofton Lajçak, ndërsa ka ftuar dhe të dërguarin e posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në vizitat e tij të kësaj jave.

Zyrtari i BE-së njofton se do të takohet gjatë kësaj jave me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe se do të zhvillojë një vizitë në Beograd, por në Prishtinë nuk do të shkojë.

“Në kuadër të përgatitjeve për muajt e ardhshëm dhe me qëllim të forcimit të përpjekjeve tona të përbashkëta, ftova Escobar në Bruksel për një sërë diskutimesh dhe takimesh koordinuese”, nënvizoi Lajçak. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos