Tensionet Kosovë-Serbi, Vuçiç takon ambasadorin amerikan: Duam seriozisht një zgjidhje

Nga A2 CNN
23 Gusht 2022, 18:24 | Ballkani
Tensionet Kosovë-Serbi, Vuçiç takon ambasadorin amerikan:

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Serbia po përpiqet seriozisht për gjetjen e një zgjidhje lidhur me krizën aktuale, që sipas tij është shkaktuar nga lëvizjet e njëanshme të Prishtinës. Këto komente numri një i Beogradit i bëri pas takimit me ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill.

Sipas një deklarate të publikuar nga presidenca serbe, dy zyrtarët kanë biseduar për situatën në rajon, veçanërisht pas bisedimeve të zhvilluara javën mes Kurtit dhe Vuçiç në Bruksel. Vuçiç theksoi se serbët që jetojnë në Kosovë, kërkojnë pa kushte formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Presidenti serb i ka shpjeguar ambasadorit Hill qëndrimet e Serbisë në dialogun me Prishtinën, duke theksuar se ai po merr pjesë në dialog me “përgjegjësi dhe konstruktivitet”. Presidenti Vuçiç ka thënë se është e rëndësishme që Kosova t'i përmbahet marrëveshjes që forcat speciale të mund të lëvizin në veri vetëm me pëlqimin e NATO-s dhe kryetarëve të katër komunave, të banuara me shumicë serbe.

Komuniteti ndërkombëtar është vënë në garë me kohën për të bindur palët të pranojnë një marrëveshje për zbutje të tensioneve, në prag të hyrjes në fuqi të vendimeve për reciprocitetin më 1shtator. i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesi i BE për dialogun, Mirosllav Lajçak, pritet të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin të mërkurën dhe të enjten, për të përshpejtuar një zgjidhje për çështjen e targave dhe letërnjoftimeve. Në vazhdën e ofensivës diplomatike lidhur me çështjen, Rusia rikonfimroi mbështetjen për Serbinë. Kryediplomati Sergei Lavrov i tha ministrit të Brendshëm serb, Aleksander Vulin, se përkrahnin një zgjidhje të mbështetur në rezolutën 12 44,  të pranuar nga të gjithë serbët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos