
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, pritet të vizitojnë këtë javë Prishtinën dhe Beogradin ne përpjekjen për të shmangur rikthimin e tensioneve në veri të Kosovës.
Dy zyrtarët e lartë do të qëndrojnë në Prishtinë të mërkurën, bën të ditur Radio Evropa e Lirë, duke cituar burime diplomatike në Bruksel. Escobar dhe Lajçak do të përpiqen të afrojnë palët drejt një marrëveshje për çështjen e targave dhe letërnjoftimeve, ndërsa kryeministri I Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se në shtator do të nisë me zbatimin e reciprocitetit.
Në takimin e fundit të nivelit të lartë në Bruksel, Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, nuk arritën një ujdi për t’i dhënë fund njëherë e mirë tensioneve në veri të Kosovës. Megjithatë lanë të hapur mundësinë e negociatave deri më 1 shtator dhe se do t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për një marrëveshje të mundshme. (A2 Televizion)