Tensionet në Bosnje e Hercegovinë, Escobar takon Dodik: Nuk do ketë luftë dhe as ndarje

Nga A2 CNN
8 Nëntor 2021, 20:17 | Ballkani
Tensionet në Bosnje e Hercegovinë, Escobar takon Dodik: Nuk do

Bie retorika e luftës dhe e përçarjes në Bosnje e Hercegovinë. Palët i ka zbutur zv/ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili gjendet në Sarajevë.

Ai duket se ka bindur liderin e serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik që të tërheqë vendimet e tij lidhur me kompetencat drejtuese dhe të vazhdojnë bisedimet për zhvillimin ekonomik. Escobar u takua dhe me anëtarët e tjerë të presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Jelko Komshiç, Sefik Xhaferoviç.

“Të gjithë jemi dakord që nuk do të ketë luftë dhe mendoj se ky është mesazhi më i rëndësishëm. Nuk është një mesazh që do ta dëgjoni vetëm nga ata liderë që takova sot, është një mesazh që do ta dëgjoni edhe nga liderët e rajonit”, tha Escobar.

Zyrtari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nënvizoi se është e rëndësishme të sigurohet që Bosnje e Hercegovina të mbetet e bashkuar, sovrane dhe me integritet territorial. Përpara këtyre raportimeve, përfaqësuesi i lartë europian në Bosnjë-Hercegovinë, Christian Schmidt, komentoi për Reuters pasojat e një shpërbërje të mundshme të Bosnje e Hercegovinës. 

“Nëse vendi ndahet, diçka që për momentin nuk është e afërt dhe nuk e synon asnjë shtet, Bashkimi Europian dhe Serbia do të duhet të rikalibrojnë busullat e tyre politike. Për mua, është në interesin e vetë Serbisë që Bosnjë-Hercegovina të ketë stabilitet. Trazirat në këtë rajon do të ndikojnë edhe në marrëdhënien e vështirë mes Serbisë dhe Kosovës në një mënyrë të njëjtë ose të ngjashme”, u shpreh Christian Schmidt.

Kriza e fundit në Bosnje e Hercegovinë shpërtheu pas paralajmërimit të liderit serb të Bosnjës, Milorad Dodik, për krijimin e një ushtrie të serbëve të Bosnjës brenda federatës. Schmidt paralajmëroi ndër të tjera se nëse vijohet me degradimin e marrëveshjes së Dejtonit, “ka shumë gjasa që vendi të ndahet”.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos