
Aksioni i policisë shqiptare në kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit, ku anëtarët e MEK u përplasën fizikisht me efektivët, përveç reagimit të amerikanëve që u përçua sot përmes DASH dhe ambasadores në largim, Yuri Kim, ka nxitur edhe reagimin e Teheranit Zyrtar.
Agjencia e lajmeve Fars i referohet një postimi në Twitter të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kana'ani, për të pasqyruar zhvillimet e tensionuara në kampin e MEK.
Kana’ani duke e cilësuar kampin “Ashraf” si një bazë të organizatës Mojahedin-e Khalq, të konsideruar si terroriste nga regjimi vendas, nënvizon se Shqipëria duhet t'i marrë seriozisht kërcënimet e paraqitura prej anëtarëve të saj.
“Elementet e grupit terrorist anti-Iran Mojahedin-e Khalq (MKO i njohur gjithashtu si MEK, NCRI ose PMOI) do të përbëjnë gjithmonë një kërcënim për sigurinë e vendit pritës për shkak të natyrës së tyre terroriste”, shkroi Kana'ani në rrjetin social.
Sipas Teheranit, është pikërisht kërcënimi që anëtarët e MEK paraqesin, arsyeja përse qeveria irakiane i dëboi dhe shtetet e tjera refuzuan t'i pranonin në territorin e tyre.
“Shpresojmë që qeveria shqiptare të korrigjojë gabimin e saj në pritjen e këtyre terroristëve”, shton Kana’ani. (A2 Televizion)