
Rusia shprehet e shqetësuar për zhvillimet e fundit në kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë, ku janë mbledhur mijëra emigrantë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i kërkoi palëve që të veprojnë me përgjegjësi të madhe. “Situata është shumë e tensionuar dhe alarmante”, nënvizoi Peskov.
Zëdhënësi shprehu mbështetjen për vendin aleat Bjellorusinë teksa konfirmoi komunikimin e vazhdueshëm përmes të gjitha kanaleve të mundshme, përfshirë atë të shërbimeve sekrete.
Megjithatë Peskov theksoi se me rëndësi duhet të shihet shëndeti dhe siguria e emigrantëve që duan të kalojnë në Poloni.
Ndërsa ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, fajësoi perëndimin për krijimin e kushteve që kjo krizë emigrimi të ndodhë, duke theksuar se politikat e vendeve perëndimore çuan në këtë gjendje. (A2 Televizion)