
Liderët e vendeve të Bashkimit Europian do të paralajmërojnë Kosovën dhe Serbinë për pasoja negative, në rast se nuk tregojnë sjellje të matur dhe konstruktive. Kjo gjë thuhet në një draft që pritet të miratohet gjatë samitit të liderëve të BE-së javën e ardhshme ku temë disktutimi do të jetë edhe situata në veriun e Kosovës dhe procesi I normalizimit të raporteve mes dy vendeve.
Siç pohon Radio Evropa e Lirë e cila e ka parë tekstin, palëve do t’u kërkohet të zbusin menjëherë tensionet dhe t’i rikthehen dialogut. Këshilli Evropian do të bëjë thirrje edhe për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të raporteve.
Këshilli Evropian dënon incidentet e fundit në veri të Kosovës dhe bën thirrje për shtensionimin e menjëhershëm të situatës, në bazë të elementeve kyçe që tashmë janë shfaqur nga Bashkimi Evropian. Si hap i radhës, vazhdimi i dialogut të lehtësuar nga BE-ja, dhe zbatimi i shpejt i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe zbatimi i aneksit janë të domosdoshme. Dështimi në uljen e tensioneve do të ketë pasoja negative.
Draft-deklaratë e liderëve të BE
BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.
Por Kurti, i cili këmbëngul se rruga drejt shtensionimit kalon vetëm përmes sundimit të ligjit në veri, ka paraqitur një plan të vetin prej 5 pikash. Ai parashikon edhe mbajtjen e zgjedhjeve ne komunat veriore, por që ato të jenë lira e të drejta sipas Kurtit, nevojitet shteti ligjor. Qëndrimin e tij, Kurti e rikthesoi edhe në një videomesazh në gjuhën serbëve, drejtuar popullsisë shumicë në veri. (A2 Televizion)