Tentativa e katërt për paqe, Ukraina dhe Rusia në pauzë teknike, bisedimet rinisin nesër

Nga A2 CNN
14 Mars 2022, 17:16 | Bota
Tentativa e katërt për paqe, Ukraina dhe Rusia në pauzë

Pas disa orësh bisedime përmes një videokonference, raundi i katërt i negociatave mes Ukrainës dhe Rusisë u ndërpre për të vijuar ditën e nesërme.

“Do të ketë një pushim teknik të negociatave deri nesër, në mënyrë që grupet e punës të bëjnë punë shtesë dhe sqarim të qëndrimeve përkatëse. Negociatat do të vazhdojnë”, shkruan në Twitter, këshilltari i presidentit ukrainas, Mikail Podoljak.

Ndërsa vetë kreu i shtetit, Volodymyr Zelensky, pranoi se bisedimet me palën ruse për të gjetur një zgjidhje diplomatike nuk janë të lehta. Megjithatë paralajmëroi se do të njoftojë së shpejti për rezultate konkrete.

Gjatë takimit, anëtari i delegacionit të Ukrainës, Podoljak, njoftoi se palët kanë mosmarrëveshje për shkak të sistemeve të ndryshme politike.

Këshilltari i Zelenskit nënvizoi se Ukraina është për një dialog të lirë brenda shoqërisë dhe një konsensus të detyrueshëm, ndërsa Rusia për shtypjen e shoqërisë së saj. Përpara takimit, ai vuri në dukje se Rusia vazhdon të jetojë në një iluzion dhe justifikon dhunën kundër civilëve në Ukrainë.

Gjithashtu njoftoi se në raundin të katërt do të kërkonte paqe, armëpushim, tërheqje të menjëhershme të të gjitha trupave dhe garanci për sigurinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos