
Tërmeti i 26 nëntorit dhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në qarqet e Tiranës, Durrësit dhe Lezhës, kanë frenuar numrin e lejeve të ndërtimit në tremujorin e fundit të vitit.
Me vendim të Këshillit të Ministrave u vendos që në këto tre qarqe të pezullohen aplikimet për leje, me përjashtim të atyre për rindërtime dhe restaurime.
Në total, në të gjithë vendin, lejet e dhëna gjatë periudhës tetor-dhjetor arritën në 196, në rënie me 45%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Për këtë arsye, lejet e ndërtimit për vitin 2019 iu rikthyen rënies, për herë të parë që prej heqjes së moratoriumit. Frenimi i këtij procesi pritet t’u kushtojë shumë edhe në vijim bashkive në këto tre qarqe, që një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave i mbledhin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. (A2 Televizion)