
Një tërmet i magnitudës 5,5 detyroi kryeministren e Islandës të ndërpriste për pak sekonda intervistën e drejtpërdrejtë që po jepte për “Washington Post”. Ndërsa kryeministrja Katrín Jakobsdóttir po fliste, u dëgjua një zhurmë e fortë. “Jam shumë mirë, shtëpia po mbahet ende”, u përgjigj kryeministrja pasi qëndroi për pak sekonda e shtangur.
Sipas Zyrës së Meteorologjisë së Islandës, tërmeti goditi vendin në orën 13:43 me orën lokale dhe pati edhe disa pasgoditje të tjera. Por nuk janë raportuar viktima, apo dëme materiale të konsiderueshme. (A2 Televizion)