
Orë agonike vijojnë të përjetojnë të mbijetuarit e dy tërmeteve shkatërruese në Turqi dhe Siri; ndërsa presin lajme për të afërmit e mbetur në rrënoja, apo qëndrojnë prej ditësh në temperatura të acarta në pritje të ndihmave që po vonojnë.
Bilanci i viktimave sa vjen e rritet; përditësimi I fundit flet për të paktën 17 mijë viktima. Kërkimet për të mbijetuar vijojnë, por ekipet e shpëtimit nga ora në orë; druhen se po e humbasin garën me kohën.
Megjithatë shpresën e mbajnë të gjallë momenti si ky ku një i mbijetuar është nxjerrë i gjallë nga rrënojat pas 72 orësh.
Një tjetër mrekulli erdhi nga qyteza e Hatait në Turqi, ku një nëne dhe fëmija e saj 2-vjeçar u shpëtuan nga pjesëtarët e forcave të sigurisë së Kosovës.
Lajmi u konfirmuar nga ministri i Mbrojtjes në Prishtinë Armend Mehaj. Në mesin e tragjedisë që sa vjen e merr përmasa më të mëdha, organizata botërore e shëndetësisë paralajmëron për një katastrofë të dytë; mungesa e strehimeve, ujit, karburantit, elektricitetit edhe temperatura nën zero mund të shkaktojë shumë vdekje të tjera mes të mbijetuarve.
Zemërimi sa vjen e shtohet tek qytetarët në rajonet e prekura të cilët denoncojnë reagimin e vonuar të autoriteteve dhe pa përgatitjen e qeverisë. Por presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, i cili vizitoi zonat e katastrofës, mbrojti reagimin e administratës së tij, edhe pse pranoi se fillimisht kishte pasur vonesa për shkak të kushteve të vështira.
Ai tha se është e pamundur të jesh i përgatitur për katastrofa të përmasave të tilla. Por opozita nuk mendon njësoj, dhe pretendon se Erdogan është përgjegjësi kryesor.
Situata është më e vështirë në Siri ku infrastruktura është shkatërruar jo vetëm nga tërmeti por edhe konflikti 12-vjeçar.
Turqia ka thënë se shpreson të hapë edhe dy kalime të tjera kufitare për në Siri për të mundësuar dërgimin e ndihmave të nevojshme atje. (A2 Televizion)