Testet serologjike mund të kryhen edhe në laboratorë privatë

Nga A2 CNN
19 Korrik 2020, 14:49 | Aktualitet
Testet serologjike mund të kryhen edhe në laboratorë privatë

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se Komiteti Teknik i Ekspertëve i ngritur për përballimin e pandemisë së koronavirusit ka miratuar protokollin për fillimin e testimeve serologjike edhe në spitalet private. Testet, gjithsesi duhet të jenë të validuara paraprakisht nga ISHP.

“Vetëm testet serologjike të aprovuara nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të lejohen të përdoren në laboratorë të licencuar jo publikë dhe të njohur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si laboratorë që plotësojnë standardet për kryerjen e testit serologjik, për praninë e antitrupave të krijuar nga Sars-Cov2”, thotë Ministria.

Gjithashtu bëhet e ditur se është planifikuar fillimi i kryerjes së testimeve serologjike në një kampion të popullatës, për qëllime studimore nga Instituti i Shëndetit Publik. “Të vetëdijshëm se cilësia dhe siguria e testimit janë thelbësore në strategjinë e kontrollit të epidemisë në vend, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të vazhdojë të ketë në fokus të punës së vet, zbatimin rigoroz të kushteve të sigurisë dhe garantimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve”.

Testimi për kundërtrupa tregon nëse e ke kaluar apo jo infeksionin nga SARS-CoV-2 në të shkuarën, por ky test nuk tregon dhe nuk duhet përdorur për të evidentuar infeksionin aktual. Do të duhen të kalojnë 1-3 javë pas infeksionit, që trupi të prodhojë kundërtrupat. Këto rezultate janë të rëndësishme për të informuar mbi personat që mund të kualifikohen si dhurues të gjakut, i cili mund të përdoret për të përgatitur plazmën konvaleshente, një produkt i cili po shihet për t’u përdorur te personat që janë shumë të sëmurë me COVID-19. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos