
Merkatoja e verës ka nisur me shumë lëvizje për skuadrat shqiptare. Në prag të ndeshjeve në Europë, Partizani po bënë dhe përforcimet e fundit. Gjelbrim Taipi është zyrtarisht futbollisti me i ri i demave.
Lajmin e ka bërë publik vetë faqja e klubit që me anë të një postimi njoftoi për arritjen e marrëveshjes me mesfushorin. Ish-kapiteni i Kukësit firmosi një kontratë një vjeçare me kampionet në fuqi ndërsa konsiderohet dhe si një nga lojtarët e rëndësishëm për Kupat e Europës.
Me fanellën e verilindoreve, Gjelbrim Taipi, u aktivizua në 101 ndeshje, dhe shënoi 12 gola. Edhe Teuta ka zyrtarizuar të tjera përforcime për sezonin e ri. Pas Ergys Peposhit dhe Mario Gjatës, ‘Djemtë e Detit’ kanë prezantuar dhe 3 afrimet e fundit.
Realdo Fili, Arsid Kruja dhe Aldi Gjumsi janë tre goditjet e e durrsakëve. Fili vjen pas eksperiencës te Odesa në Ukrainë dhe firmosi një kontratë një vjeçare me Teutën. Në të kaluarën futbollisti, ka qenë pjesë dhe e klubeve të tjera shqiptare si Apolonia, Partizani, Kamza, Skënderbeu e Luftëtari në elitën e futbollit shqiptar.
Aldi Gjumsi vjen nga bardheblutë e kryeqytetit, ku pas minutave të pakta aty, vendosi të ndërmarrë një aventurë të re tek bregdetarët.
Arsid Kruja është rikthyer në Durrës pas sezonit 2018-2019. Mesfushori firmosi një kontratë një vjeçare dhe i është bashkuar menjëherë grupit të Diego Longos. Teuta do të zhvillojë fazën përgatitore deri në 13 korrik në Durrës dhe më pas skuadra do të niset për Bullgari për të qëndruar aty dy javë. (A2 Televizion)