Thaçi pas takimit me Lajçak: Koha për njohje reciproke dhe jo për çështje të diskutuara prej vitesh

Nga A2 CNN
14 Tetor 2020, 13:02 | Kosova
Thaçi pas takimit me Lajçak: Koha për njohje reciproke dhe jo

 “Ka ardhur momenti që në tavolinën e bisedimeve të diskutohet për njohje reciproke dhe jo të vazhdohet me çështje teknike që janë diskutuar më parë”. Kështu ka deklaruar presidenti Hashim Thaçi pas takimit me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Sipas Thaçit, vetëm njohja reciproke është mundësi e mirë për të garantuar stabilitet në rajon.

“Besoj fuqishëm se ka ardhur momenti që Bashkimi Evropian, nga ajo që shoh dhe është aktualisht unik në mbështetje të zotit Lajçak, të hidhet në tavolinë mundësia e diskutimit për njohje reciproke sepse duhet të jetë pika e parë e marrëveshjes, pastaj çështje të tjera vijnë më lehtë dhe jo të fillohet apo të vazhdohet me çështje teknike që i kemi diskutuar dhe ridiskutuar tash e 10 vite në Bruksel. Sido që të jetë, unë dua të besoj se vetëm njohja reciproke me standardet e përcaktuara në kornizën e marrëveshjes eventuale që mund të arrihet, mund të jetë mundësi e mirë, është edhe mundësia e vetme që garanton stabilitetin në rajon”, tha ai.

Thaçi foli edhe për takimet e fundit që ka zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bruksel dhe Paris, për çka tha se ka parë një koordinim më të mirë në mes të kryeqendrave.

“Edhe në takimin që kam zhvilluar ditë më parë me Lajçak në Bruksel, kanë qenë po temat e njëjta të diskutimit, gjithashtu në Uashington në takimet që kam zhvilluar me autoritet e larta të larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në takime jo formale, e gjithashtu edhe në Paris pardje, shoh një koordinim më të mirë dhe nivel më të lartë edhe të Bashkimit Evropian, të kryeqendrave pra, edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe ky është një mesazh i qartë, i mirë, dhe inkurajues edhe për ne në Kosovë që të jemi sa më unik, sa më të bashkuar në këtë proces të dialogut përballë Serbisë, në mënyrë që të finalizohet ky proces sa më shpejtë, sa më mirë, me njohjen reciproke të Kosovës me Serbinë”, tha ai.

Në konferencën pas takimit me diplomatin sllovak, presidenti Thaçi ripërsëriti edhe njëherë qëndrimin e tij sa i takon liberalizimit të vizave për Kosovën, ku i kërkoi BE-së që të lëvizë më shpejt në këtë drejtim.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka takuar edhe përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kreun e PDK-së Kadri Veseli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos