
Thatësira dhe rritja e kostos së fertilizuesve janë mes faktorëve kryesorë të rënies së fushave me të mbjella në Kosovë. Prodhuesit e grurit paralajmërojnë se të korrat do të jenë 50 për qind më pak, krahasuar me vitin e kaluar. Fermerët që zotërojnë me qindra hektarë me grurë, thonë se kanë përfituar vetëm 3 mijë kilogram për hektar këtë sezon.
“Kushtet klimatike nuk ishin të favorshme pasi këtë vit përballemi me thatësirë. Fertilizuesit ishin të shtrenjtë. Vitet e kaluara paguanim 30 cent për një kilogram fertilizues, ndërsa këtë vit paguam 1 euro për kilogram. Për një hektar duhen 850 kilogram fertilizues. E gjithë kjo pa ndikuar në prodhimet tona”, thotë fermeri Valon Vehapi.
“Arsyeja kryesore është klima. Mund të jenë dhe fertilizuesit pasi nuk kanë cilësi të mirë”, shprehet fermeri Xhele Spahiu.
Ata thonë se në përkeqësimin e situatës ka ndikuar lufta në Ukrainë që ka trefishuar çmimet e produkteve gjatë 2022. Qeveria e Kosovës pohon se fermerët vendas mund të prodhojnë gjysmën e grurit që nevojitet. Pjesa e mbetur importohet, kryesisht nga Serbia. Pakësimi I tokave bujqësore si rezultat I planifikimit të keq urban mund ta përkeqësojë dhe më tej situatën.
“Vlerësohet se Kosova po humbet nga 500 deri në 1000 hektarë tokë bujqësore çdo vit, kjo varet nga viti në vit. E kam fjalën për periudhën e pasluftës kur Kosova ka humbur çdo vit nga 500 deri në 1000 hektarë tokë bujqësore”, shpjegon profesor i universitetit Bujqësor të Prishtinës Imer Rusinovci.
Zonat më të goditura nga ky fenomen janë përreth Prishtinës, ku po ndërtohen blloqe banimi, në një tokë që për dekada është përdorur për prodhime të ndryshme bujqësore. (A2 Televizion)