
Në mes të kësaj situate nuk janë të pakta rastet e thirrjeve për të qëndruar në shtëpi, por ai që ka marrë vëmendjen kryesore është postimi i një infermiereje që punon në Milano, i shkruar fill pasi ka mbaruar turnin e shërbimit spitalor.
"Bëni pjesën tuaj, jua kërkoj si nder". Alessia Bonari shkruan në foton e publikuar se në këto momente po përballet me emergjencën sanitare. “Edhe unë kam frikë”, vijon ajo, “jo për të bërë pazarin, por për të shkuar në punë. Kam frikë sepse maska mbrojtëse mund të mos më rrijë mirë në fytyrë, apo ngaqë mund të prekem aksidentalisht nga dorezat e bëra pis dhe kjo do më infektonte edhe mua”.
Ndër të tjera shpjegon se është lodhur fizikisht ngaqë pajisjet e mbrojtjes e lëndojnë dhe veshjet mbrojtëse e bëjnë të djersijë, por për 6 orë që punon nuk mund të shkojë në tualet apo te pijë qoftë një gotë ujë.
“Jam e lodhur psikologjikisht”, vijon ajo, “sikurse janë të gjithë kolegët e mi gjatë kësaj pune disa javore, por kjo nuk na pengon ta bëjmë sërish me të njëjtin përkushtim si më parë”.
Megjithatë apeli i saj i drejtohet të gjithëve kur shkruan "Ajo që i kërkoj gjithkujt që e lexon këtë postim është të mos e çoni dëm mundimin tonë, të jeni altruistë, qëndroni në shtëpi se kështu do mbroni ata që janë më të dobët. Ne të rinjtë nuk kemi imunitet ndaj këtij virusi, edhe ne mund të sëmuremi, apo edhe më keq mund ta përçojmë sëmundjen tek të tjerët. Nuk e kam luksin të kthehem në shtëpi për izolim sepse duhet të jem në punë për të bërë atë që më takon. Bëni edhe ju pjesën tuaj, jua kërkoj si nder”, mbyllet postimi i Alessias. (A2 Televizion)