Ylli i Gjermanisë dhe Bayern Munchen, Thomas Muller, është akuzuar nga organizata për mbrojtjen e kafshëve, PETA, se ka keqtrajtuar kuajt e tij, duke i lejuar të kryejnë “akte seksuale jo natyrale”. Çështja u ngrit si shqetësim pasi ishte vetë futbollisti që deklaroi se kali i tij, D’Avie, ishte dëmtuar gjatë përgatitjes për mbarështim, diçka që organizata e mbrojtjes së kafshëve beson se ishte e shmangshme dhe e panevojshme.
Muller dhe bashkëshortja e tij Lisa, e cila është garuese me kuaj, kanë një fermë kuajsh në Gjermani, ku kryejnë edhe farëzim artificial. Në një deklaratë këtë javë, Muller tha se kali i tij D’Avie nuk do të ishte në gjendje të merrte pjesë në aktivitete për disa muaj. “Ai ka rrëshqitur gjatë përpjekjes për t’u përgatitur për sezonin e mbarështimit dhe është dëmtuar”, tha lojtari.
Pas kësaj deklarate, një zëdhënëse e PETA-s tha se praktikat e ndjekura në fermën e Muller ishin të dëmshme. “Është e tmerrshme që ata që vetëshpallen miq të kuajve i detyrojnë kafshët nën kujdesin e tyre që të kryejnë veprime jonatyrale që të përfitojnë prej tyre”, tha zëdhënësja Jana Hoger.
Incidenti vjen në një moment jo shumë të mirë për futbollistët që kanë kafshë, pasi lojtari i West Ham, Kurt Zouma, është vënë në qendër të vëmendjes për një video ku shihet teksa abuzon me macen e tij. Mbrojtësi është dënuar nga klubi i tij, shoqatat e kafshëve, si dhe është kritikuar masivisht në rrjetet sociale. (A2 Televizion)