
Gazetarja e ekonomisë, Mirilda Tili, në një lidhje direkte me studion e “A2 Business” me Aurora Sulçen, në A2 CNN, se mjekët dhe infermierët shqiptarë nuk largohen nga vendi për paga më të mira jashtë shtetit, por për faktin se në Shqipëri nuk kanë infrastrukturën e duhur mjekësore.
“Pavarësisht pagës së mirë që ofrohet, mjekët tanë nuk shkojnë në rrethe sepse nuk kanë pajisje. Atje do të kenë vetëm stetoskopin dhe bluzën e bardhë, asgjë tjetër. Mjeku gjinekolog shkon një herë në javë në maternitetin e Bulqizës, por nuk ka çfarë të bëjë aty. Nuk është vetëm çështje page, por e infrastrukturës shëndetësore që u mungon”, tha gazetarja.
Tili kritikoi edhe mungesën e transparencës së qeverisë sa i përket donacioneve nga Bashkimi Europian për pandeminë dhe jo vetëm.
“Nëse të gjitha paratë e marra nga donacionet do të ishin menaxhuar mirë, do të kishim tjetër situatë. Qeveria duhet të bëjë transparencë me fondet, jo vetëm të pandemisë, por edhe të rindërtimit. Ne sot jemi ende duke diskutuar për çmimin e tamponit”, u shpreh Tili. (A2 Televizion)