Tirana udhëton në Shkodër për klasiken, në Durrës luhet derbi

Nga A2 CNN
21 Prill 2023, 13:06 | Futboll
Tirana udhëton në Shkodër për klasiken, në Durrës

Këtë të shtunë, luhet ajo që konsiderohet klasikja e futbollit shqiptar Vllaznia-Tirana. Dy skuadra me histori dhe me rivalitet të madh do të matin forcat në “Loro Borici’’, me synimin e vetëm 3 pikët.

Bardheblutë vijojnë luftën në distancë me Partizanin ndonëse tani janë shkëputur me 5 pikë në krye të tabelës, ende nuk kanë siguruar asgjë.

Nga ana tjetër, Vllaznia në 6 ndeshjet e fundit ka marrë vetëm një fitore, statistika negative këto për objektivin Europë të kuqebluve.

“Është një ndeshje që kërkon shumë impenjim. Kundërshtari është i fortë dhe ne duhet të jemi të guximshëm dhe të kujdesshëm. Të vrapojmë shumë në terren, lojtarët e dinë se çfarë pres prej tyre. Puna kalon më mirë çdo ditë, jetojmë si një familje. Nesër do bëjmë një ndeshje të mirë dhe do fitojë ai që shprehet më mirë. Dimë që janë të parët në tabelë, e respektojmë kundërshtarin. Unë si trajner dua futboll sulmues”, tha trajneri Goce Sedloski.

Nga ana tjetër në “Niko Dovana” do të luhet derbi i qarkut të Durrësit. Teuta përballë Erzenit me synimin për t’u larguar nga zona e ftohtë e renditjes.

Djemtë e Martinit pozicionohen në vendin e tetë dhe një tjetër hap fals mund t’ja vështirësonte dhe më shumë garën për mbijetesë.

Nga ana tjetër, Laçi udhëton në Rrogozhinë përballë Egnatias. Kurbinasit kërkojnë fitoren e tretë radhazi, ndërsa Egnatia synon rikthimin te triumfi pas dy hapave fals. Ndërkohë të dielën në fushë do të zbresin Partizani e Bylis në kryeqytet, ndërsa Kastrioti pret në Elbasan Kukësin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos