
“Le të flasin ç’të duan. Ne e meritojmë këtë titull”. Kështu u shpreh në Ditarin e mesditës në A2 CNN arkitekti që çoi Partizanin drejt titullit kampion, drejtori sportiv, Elton Marini.
“Është bërë një punë e mirë. Ne po festojmë titullin, të tjerët le të flasin. Unë nuk kam kohë shumë për festë pasi kemi nisur përgatitjet për ndeshjet europiane. Kam qenë një nga ata që kam besuar dhe e kam ndarë vizionin me presidentin Demi. Kemi nisur për krijimin e një cikli. Na u larguan shumë lojtarë dhe nisja e sezonit ishte e vështirë, por kishim një bazë të mirë. Ne bëmë disa ndërhyrje dhe me kalimin e kohës nisëm të besojmë”, tha ai.
Sa i përket akuzave të ngritura nga Tirana pas ndeshjes me Bylisin për një penallti të dyshimtë dhe debateve për tolerim nga Teuta në ndeshjen e fundit, Marini u shpreh: “Tymnaja të tilla duhen lënë pas. Në Shqipëri është një kulturë e tmerrshme e krijimit të alibive. Këtë duhet ta heqim. Të gjejmë gabimet te vetja”, tha drejtoi i Partizanit.
Partizani arriti të marrë titullin e 17 në histori pasi në ndeshjen e fundit ndaj Teutës së Durrësit arriti të fitonte 2-0. (A2 Televizion)