
Premier League uli mbrëmjen e djeshme siparin për sezonin futbollistik 2022-2023, me Manchester City-n e drejtuar nga Pep Guardiola që u kurorëzua sërish kampion, duke shuar shpresat e Arsenalit për një rikthim historik nën drejtimin e Mikel Artetës.
Teksa ekipet do të pushojnë dhe menaxherët e tyre kanë nisur të punojnë për merkaton e verës, statisticienët në Sofascore kanë qenë të shpejtë për të publikuar 11-en më të mirë të këtij sezoni.
Në sulm është pikërisht Erling Haaland ai që “mbretëron”, pasi mori edhe Këpucën e Artë me golat e tij mbresëlënës në sezonin debutues me “qytetarët”.
Teksa një mori emrash nga ekipi i Manchester City-t shfaqen në skuadrën e 11 më të mirëve, aty çuditërisht ka vend vetëm për një lojtar të Arsenalit, ndërsa pavarësisht sezonit të dështuar të Chelsea një mbrojtës i Bluve të Londrës shfaqet në zemër të vijës së pasme të skuadrës më të mirë.
Si më poshtë paraqitet njëmbëdhjetëshja më e mirë e Premier League këtë sezon, në një formacion 3-4-1-2, sipas Sofascore:
Portier: David Raya (Brentford) 7.18
Teksa “Bletët” nuk patën sukses në përpjekjen e tyre për të kapur një vend që të çon në Europë këtë sezon, ka një arsye pse përfundimi i tyre në vendin e 9-të në Premier League nuk dukej absurd.
David Raya ka tërhequr interes nga i gjithë kontinenti për aftësitë e tij të mahnitshme si portier, me Brentford që humbi vetëm 9 ndeshje gjatë gjithë sezonit, të njëjtin numër si Manchester United dhe Liverpool.
Mbrojtës: James Tarkowski (Everton) 7.20
Nuk ka asgjë më shumë për të shtuar në lidhje me gjendjen e Evertonit këtë sezon - vetëm se tifozët e Toffees do të shpresojnë për një kthesë të shpejtë sezonin e ardhshëm.
Loja në mbrojtje e James Tarkowski për Everton është një ndër arsyet kryesore pse gjendja e lojës për skuadrën e Sean Dyche nuk ishte shumë më e keqe.
Mbrojtës: Thiago Silva (Chelsea) 7.26
Pothuajse po aq i keq sa sezoni i Evertonit ishte edhe sezoni i Chelsea-t. Nëse ka një dritë ndriçuese për blutë, është Thiago Silva.
Para se të vinte në Premier League, ai ishte një mbrojtës i shkëlqyer në të gjithë Evropën, dhe tani Silva i fortë i ka ardhur në ndihmë Bluve të Londrës. vazhdueshëm se ai do të largohet nga Stamford Bridge, por shumë shpresojnë se ai do të qëndrojë edhe për një sezon.
Mbrojtës: Ethan Pinnock (Brentford) 7.16
Ethan Pinnock ka qenë një katalizator në punën e fortë mbrojtëse të Brentford këtë sezon. Askush nuk e parashikoi që “Bletët” e Thomas Frank do të realizonin lojën e këtij sezoni.
Performancat e Pinnock në vijën e pasme e bëjnë atë një pronar të denjë të një pozicioni në 11 më të mirë dhe ai e vulosi këtë me golin kundër Manchester City në ditën e fundit.
Mesfushor: Jack Grealish (Man City) 7.34
Shpresat e Manchester City për të mbyllur sezonin me tripletë trofesh vazhdon dhe Grealish ishte një nga lojtarët më të mirë në ekip pas kthimit të tij nga Katari ku përfaqësoi Anglinë. Performancat brilante nën drejtimin e Guardiolës e bëjnë atë një pjesë të domosdoshme të mesfushës së ekipit më të mirë.
Mesfushor: Kevin de Bruyne (Man City) 7.78
Nuk ka asnjë lojtar tjetër më të rëndësishëm sesa ai për Manchester Cityn dhe për këtë arsye Kevin de Bruyne merr rezultatin më të lartë ndër 11 më të mirët.
Manchester City është me fat që ka belgun që drejton motorin e mesfushës dhe përpjekjet e tyre për të fituar të dyja finalet e FA Cup dhe Champions League muajin e ardhshëm do të varen nga besueshmëria e De Bruyne.
Mesfushor: Martin Odegaard (Arsenal) 7.35
Arsenali ka qenë tepër i fortë këtë sezon dhe ka udhëhequr Premier League për shumë javë. Sidoqoftë, ata u kapën përfundimisht nga Manchester City dhe ka vend për vetëm një lojtar të “The Gunners” në skuadër.
Megjithatë, ai njeri është sigurisht Martin Odegaard, një tjetër prani e shkëlqyer norvegjeze në Premier League. Ai i ka udhëhequr topçinjtë në mënyrë të shkëlqyer gjatë sezonit, dhe me të drejtë është emëruar në mesin e kuartetit të mesfushës, së bashku me disa nga armiqtë e tij nga Man City.
Mesfushor: Kieran Trippier (Newcastle) 7.61
Newcastle United i Eddie Howe e ka merituar ngjitjen katërshen që të çon në Ligën e Kampionëve dhe paraqitjet e Kieran Trippier si kapiten në mesfushë kanë qenë pjesë e fluturimit të “Magpies”.
Ai është një nga lojtarët më të besueshëm në ekipin e Newcastle dhe do të jetë i etur për të provuar punën e tij kundër kundërshtarëve evropianë sezonin e ardhshëm. Rezultati i tij është një nga më të lartat e të gjithë ekipit, jo keq për një ekip që ishte në prag të rënies kur Howe mori drejtimin.
Mesfushor sulmues: Bruno Fernandes (Man United) 7.56
Manchester United përfundoi i treti këtë sezon, në sezonin e parë të Erik ten Hag si strateg i tyre. Ata janë kthyer me meritë në Ligën e Kampionëve dhe mund të falënderojnë Bruno Fernandes për suksesin.
Portugezi ka qenë i besueshëm në qendër të mefsushës dhe i aftë për të shënuar gola vendimtarë kur thirret në detyrë.
Sulmues: Harry Kane (Tottenham) 7.44
Harry Kane është një nga sulmuesit më të besueshëm që ka parë ndonjëherë Premier League.
Ai është edhe sulmuesi më i mirë në ekipin Sofascore, sipas vlerësimeve. Nuk është e lehtë të shkëlqente me Tottenham Hotspur-in e këtij sezoni zhgënjyes dhe me një Viking norvegjez të shndërruar në makineri golash, por Kane u konfirmua sërish se është ai “mbreti” para portës në Premier League.
Sulmues: Erling Haaland (Man City) 7.36
Erling Haaland nuk është sulmuesi më i mirë sipas pikëve, pasi lihet pas nga kapiteni i Anglisë, por aftësia e tij për të shënuar gola ka qenë fenomenale, ndaj ai po fiton kaq shumë çmime.
Manchester City kishte nevojë për një sulmues për të konkurruar në Evropë dhe me Haaland gjetën armën që mungonte në arsenalin luftarak të Guardiolës. (A2 Televizion)