“Toka është e sheshtë”: E besojnë rreth 6 milionë amerikanë!

Nga A2 CNN
12 Mars 2019, 13:16 | Teknologji

Ndoshta as vetë shkrimtari dhe shpikësi Samuel Birley,  kur në 1864 botoi librin “Toka nuk është një sferë”, do të kishte imagjinuar që një shekull e gjysmë më vonë teoritë e tij mbi formën e tokës dhe të universit do të ishin nga më populloret dhe të diskutuarat në “universin paralel” të Web-it.

Për sa paradoksale mund të tingëllojë, gjithsesi, rrjetet sociale duket se kanë qenë përhapësi më i madh i kësaj teorie që me shekuj dukej e zhdukur. Në 2015, videot që trajtonin teoritë e “Tokës së sheshtë” nuk kalonin 50 mijë. Sot, videot i afrohen 20 milionëve.

Një studim i Texas Tech University dhe Yougov tregon një statistikë befasuese, ku rreth 9% e amerikanëve nuk janë të bindur për formën e planetit.

Skenë nga filmi "The Truman Show"

Në shkallë popullsie, flitet për rreth 30 milionë banorë, ku 6 milionë prej tyre mendojnë se ajo është komplet e sheshtë, e mbuluar nga një kupolë e madhe që përfshin edhe diellin dhe yjet, që ndodhen në një lartësi vetëm disa qindra kilometrash. Ekzaktësisht si në skenarin e filmit Truman Show, të vitit 1998.    

Vetë Google ka deklaruar që po teston një mënyrë për të kufizuar këto materiale, duke mos i reklamuar si më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos