Tornado dhe borë në SHBA, viktima, shkatërrim dhe fluturime të anuluara rreth vendit

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2022, 15:30 | Bota
Tornado dhe borë në SHBA, viktima, shkatërrim dhe fluturime

Stuhi të fuqishme dimërore po lëvizin në pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara duke shkaktuar tornado në shtetet jugore dhe duke mbuluar me borë pjesën tjetër të vendit.

Dëshmitarët tregojnë për gjendjen e rëndë në Luiziana, ku u regjistruan një seri tornadosh, disa prej të cilave vdekjeprurëse. Një djalë 8 vjeç, dhe nëna e tij 30-vjeçare, vdiqën në Luiziana, pasi shtëpia e tyre u shkatërrua nga një tornado. Në një incident të ngjashëm humbi jetën edhe një 54-vjeçare. “Po përballemi me shkatërrim total”, tha Belinda Constant, kryebashkiake e qytezës Gretna në Luiziana.

Më shumë se 40 tornado u raportuan në Teksas, Luiziana, Oklahoma dhe Misisipi sipas qendrës së parashikimit të stuhive. Stuhi të fuqishme kanë goditur edhe pjesën qendrore të SHBA-së, duke shkaktuar mbyllje të rrugëve dhe shkollave, pasi shumë shtete kanë raportuar se bora ka arritur në lartësi deri në 1,2 metra.

Rreth 500 000 persona në katër shtete - Nebraska, Uajomin, Dakoda e Jugut dhe Minesota - janë paralajmëruar se do të përballen me stuhi bore, teksa erërat e fuqishme dhe reshjet e borës kanë vështirësuar qarkullimin. Miliona banorë të tjerë në pjesën më të madhe të SHBA-së po ashtu janë goditur me stuhi të fuqishme bore. Rreth 3300 fluturime janë shtyrë dhe mbi 150 janë anuluar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos