Tornado shkatërruese, Kentucky në gjunjë, autoritetet: Mbi 100 viktima

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2021, 10:38 | Bota
Tornado shkatërruese, Kentucky në gjunjë, autoritetet: Mbi 100

Bilanci i viktimave nga tornadot e fuqishme që shkatërruan qyteza të tëra në Kentucky të Shteteve të Bashkuara, pritet t’i kalojë 100, ndërsa shpresa për gjetjen e të mbijetuarave zbehet me kalimin e orëve.

Guvernatori Andy Beshear e cilësoi këtë si ngjarjen më të rëndë të tornadove në histori, me të paktën 80 vdekje të konfirmuara. 

“Asgjë që gjendej në rrugën e tornadove nuk ka mbetur në këmbë. Shpresojmë në një mrekulli, për gjetjen e të mbijetuarve, por frika është se bilanci do të rritet”, deklaroi guvernatori.

Presidenti Joe Biden shpalli gjendjen e katastrofës madhore dhe urdhëroi lëvrimin e ndihmave federale për zonat më të goditura. Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet në rrënoja për gjetjen e mbijetuarve ndërsa grupe të tjera shpërndanë ujë dhe gjeneratorë për banorët.

Më shumë se 300 anëtarë të Gardës Kombëtare po shkojnë derë më derë për pastrimin e mbeturinave.  

Mijëra njerëz kanë humbur shtëpitë edhe pse numri i saktë nuk është ende i qartë. Një prej tornadoeve mbolli shkatërrim përgjatë të gjithë itinerarit të përshkuar prej 365 km, duke tejkaluar rekordin e tornados së vitit 1925 në Misuri, që i mori jetën 695 personave.

Mayfield ishte qyteza më e goditur, ku u shënuan dhjetëra viktima përfshirë punonjës të një fabrike qirinjsh.

Të paktën 50 tornado goditën 8 shtete Arkansas, Illinois, Indiana, Kentucky, Missouri, Mississippi, Ohio dhe Tennessee. Evente të tilla jashtë sezonit të pranverës dhe verës, janë ekstremisht të rralla.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos