
Repartin e shkrumbuar të COVID në spitalin e Tetovës, e ka vizituar edhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Ai është shprehur se institucionet janë të angazhuara maksimalisht për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve që sollën këtë tragjedi. Ndërsa ka njoftuar se ka kërkuar edhe ekspertizë të jashtme, e cila pritet të mbërrijë brenda 48 orëve.
“Autoritet e përfshira në hetimin e rastit janë duke punuar që të përcaktojnë shkaqet e këtij zjarri që dogji brenda pak minutash të gjithë objektin.
Nuk kam asnjë dyshim që brenda një kohe të shkurtër do të mësojmë shkaqet e vërteta të kësaj ngjarje. Kam thirrur edhe ekspertizë të jashtme, e cila pritet të mbërrijë brenda 48 orëve dhe që do të ndihmojë ekspertët tanë në përcaktimin e shkaqeve dhe hetimin e plotë të ngjarjes, nëse kemi të bëjmë me një aksident, apo me ndonjë gabim njerëzor.
Unë nuk kam asnjë të dhënë që ngjarja të jetë e qëllimshme. Por në fund do të jenë autoritetet ato që do të thonë fjalën e tyre. Dhe në bazë të hetimit do të kërkohen edhe përgjegjësitë ligjore dhe morale të rastit në fjalë”, ishin fjalët e Pendarovskit. (A2 Televizion)