
Humbjen 0-4 nga Granada, trajneri i Teutës, Edi Martini ia faturon emocioneve ndaj një kundërshtari të një niveli të lartë, i cili sezonin e kaluar ka mposhtur edhe Barcelonën.
“Bëmë një ndeshje jo të mirë. Shpresoja në një ditë jo për Granadën, por ishte ditë jo për ne dhe u dënuam shumë shpejt. Kundër ekipeve të mëdha, të bësh gabime të tilla të ndëshkojnë dhe ne nuk ishim të zotë të reagonim. Bëmë gabime foshnjarake, por me ekipe të tilla duhet edhe eksperiencë. Tentuam të qarkullonim topin, por presioni ishte brenda nesh dhe kjo ndikoi në pësimin e atyre golave. Granada vraponte dyfish më tepër, jo më kot janë në vendin e 6-të në Spanjë dhe kanë mundur Barcelonën, kanë barazuar me Realin. Niveli i tyre është i lartë, por në qoftë se nuk do të kishim pësuar gol aq shpejt, mund të bënim diçka më ndryshe”, u shpreh Martini.
Më tej, shkodrani theksoi se tashmë skuadra duhet të përqendrohet te kampionati. “Kemi kohë për fillimin e kampionatit, duhet të fokusohemi fort atje. Shpresojmë të gjejmë edhe disa lojtarë të tjerë dhe të jemi aty ku duhet në kampionat. Nuk e quaj të mbyllur merkaton, por 90% është e realizuar. Presim pse jo edhe 2 goditje të fundit, pasi do guxojmë më tepër këtë sezon. Këta djem e kanë rritur stekën dhe pas kampionatit të mirë që bëmë, mendoj që e kanë çuar veten që të mendojnë për më tepër”. (A2 Televizion)