A2 CNN ka siguruar dokumentin që iu ka mbërritur deputetëve socialistë për të propozuar 3 emra për presidentin që do të zëvendësojë Ilir Metën.
“Bazuar në procedurën e miratuar në Mbledhjen e Grupit Parlamentar të datës 28 Mars 2022, çdo anëtar i Grupit Parlamentar mund të propozojë një kandidat(e), por jo më shumë sesa tre kandidatë(e) brenda një zarfi të mbyllur dhe të sekretuar në mbledhjen e posaçme që do të njoftohet nga Kryetari i Grupit. Kandidatët e propozuar do të merren në shqyrtim nga Grupi i Punës së ngritur me vendimin e sipërpërmendur të GPS, me qëllim verifikimin e plotësimit të kritereve të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë për kandidatin për President të Republikës”, thuhet ndër të tjera në këtë letër.

Gjatë konferencës për shtyp, këtë të hënë, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, u shpreh se të martën, deputetët e Partisë Socialiste do të çojnë në mbledhjen e grupit zarfin me tre emrat e propozuar për presidentin e ri.
“Nesër do të jetë hapi i parë i konsultimit me grupin parlamentar të PS-së, që udhëheq këtë proces për herë të parë që nga 1997, kur u zgjodh zoti Mejdani. Pasnesër, ditën e mërkurë në orën 17:00 do të ftoja kryetarët e grupeve parlamentare, që sipas mundësive të ulemi në një takim të parë. Takime të tjera nuk kanë ndodhur, ai do të jetë takimi i parë.
Referuar situatës ku ndodhet PD-ja, i pyetur se përse nuk e zgjeron rrethin e konsultimeve me grupin e Rithemelimit, Taulant Balla tha se dialogu do të zhvillohet me grupet zyrtare në Kuvend, “nuk njoh ndonjë grup parlamentar me emrin “grupi i Rithemelimit” në Kuvend”, tha ai, duke injoruar Sali Berishën. (A2 Televizion)