
Daniel Guçe, ekspert për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, në një lidhje direkte me studion e “Business News”, në A2 CNN, tregoi se si ka ndryshuar mënyra e të bërit biznes pas shpërthimit të Covid-19.
“Disa kategori sipërmarrjesh, si agjencitë e udhëtimit, reduktuan stafin. Por, ka pasur sektorë të tjerë, si biznesi “online”, që e kanë zgjeruar stafin e tyre. Ne kemi bërë një pyetësor për kompanitë dhe pamë që kishte kërkesa për trajnimin në tregtinë elektronike dhe menaxhimin e platformave sociale”, tha Guçe.
“Tashmë, orientimi është biznesi nëpërmjet tregtisë elektronike”, shtoi eksperti.
Në lidhje me profesionet e reja të krijuara nga situata post pandemike, Guçe tha: “Menaxherët e rrjeteve sociale dhe “graphic designer” janë profesionet për të cilat është rritur kërkesa në këtë periudhë”.
“Shumicës së bizneseve shqiptare i është dashur që të rishikojnë planet e tyre të biznesit pas pandemisë. Duhet të kuptojnë edhe profesionet e reja që duhet të shtojnë në staf. Normalisht, biznesi e ka kuptuar trendin e ri të shërbimeve që duhet të ofrojë”, shpjegoi Guçe. (A2 Televizion)