PS nis garën nga Durrësi, Gjiknuri zëvendëson Ramën: Votoni PS që të bashkoni PD

Nga A2 CNN
20 Shkurt 2022, 17:04 | Aktualitet
PS nis garën nga Durrësi, Gjiknuri zëvendëson Ramën:

Socialistët zgjodhën qytetin e Durrësit për të nisur zyrtarisht fushatën elektorale. Ndryshe nga betejat e zhvilluara më parë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u shfaq indiferent, duke e lënë çeljen e fushatës në drejtimin e Damian Gjiknurit.

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, prezantoi zyrtarisht kandidaten e Partisë Socialiste për kryetare të Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako. Duke theksuar momentin në të cilën po zhvillohen zgjedhjet e pjesshme lokale, të 6 Marsit, Gjiknuri u shpreh se Durrësi ka shansin e artë për t’u transformuar tërësisht dhe nuk mund të bëhet betejë e njerëzve të  humbur politikisht.

“Unë e di që fitorja nuk kërcënohet nga kundërshtarët tanë, në luftë janë dy humbësa, njëri është humbës kronik, por që është 'grata' dhe tjetri që është i papëlqyeshëm nga faktori ndërkombëtar, nga SHBA, por njëkohësisht është një njeri që ju e dini shumë mirë historinë e tij politike, thjesht ata luftojnë për mbijetesën e tyre politike. Po pse do të përdoren qytetarët durrësak apo të bashkive të tjera se kush nga ata do të mbijetojë politikisht? Jo se kanë durrësakët këtë hall, durrësakët duan zhvillimin, se janë qytetarë nga natyra dhe duan zhvillimin, nuk janë tifozë politikë, nuk e fiton dot kollaj zemrën e Durrësit, përveçse me vepra konkrete dhe me sjellje konkrete”, u shpreh Gjiknuri.

Kandidatja e PS, Emiriana Sako, u shpreh se puna e saj e deritanishme dhe zgjidhja e shqetësimeve të komunitetit, janë argument i fortë për të kërkuar mbështetjen e durrsakëve në zgjedhjet e 6 marsit: “Aleanca jonë është me njerëzit e thjeshtë dhe të zakonshëm. Nën drejtimin tim dera e Bashkisë ka qenë e hapur dhe do të jetë për të gjithë qytetarët që nga Ishmi, Katundi i ri, Sukthi, Rrashbulli, Manza. Do ti trajtojmë që të gjithë me detyrën dhe vullnetin për të zgjidhur që të gjithë problemet që ata kanë. Prandaj në 6 mars kërkoj mbështetjen tuaj, kërkoj të mbështesim njëra-tjetrën, të mbështesim gruan dhe me besimin e dhënë uroj në një fitore bindëse të Partisë Socialiste”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos