
Emigracioni po shkakton probleme të forta në tregun e punës, duke u shndërruar në një problem thuajse të njëjtë me inflacionin e lartë. Shumë industri janë pa punëtorë, teksa janë detyruar që të importojnë nja jashtë. Të huaj nga Bangladeshi, Irani, Nepali dhe Egjipti, janë angazhuar në ndërtim, fason, shërbime, madje edhe në turizëm. Një zgjedhje emergjente që duket e vetmja, në kushtet kur emigracioni nuk po frenohet. Ndërkohë tregu i punës po ridimensionohet në të gjithë botën. Profesione të reja po krijohen e të tjera po mbyllen, duke bërë që kompanitë të kërkojnë aftësi të tjera te punonjësit.
Pikërisht për tregun e punës u diskutua këtë të premte në A2 Business. Dritan Mezini, ekspert për çështjet e punësimit u shpreh se vendet e zhvilluara janë bërë me agresive dhe po targetojnë edhe vende si puna jonë
“Tregu i punës është një treg global. Fatmirësisht edhe Shqipëria po prodhojnë profesionistë, të cilët konkurrojnë në tregun global. Vendet e zhvilluara janë bërë më agresive dhe po targetojnë edhe vende si puna jonë. Ata kërkojnë profesionistët e kualifikuar nga këtej dhe kanë krijuar edhe lehtësira.
E shikoj si një trend për sa kohë ne kemi pranuar globalizmin, është një risk i mundshëm dhe duhet të pranojmë liritë e individit për të punuar aty ku ai mendon se mund të shprehë aftësitë që ai ka”, tha Dritan Mezini, ekspert për çështjet e punësimit. (A2 Televizion)