
Zhvillime pozitive nga tregu i sigurimeve. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, gjatë tremujorit të parë të këtij viti, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit kapën vlerën mbi 3,9 miliardë lekë, me rritje 11,7% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Rritje kanë pësuar edhe numri i kontratave. Ndërkaq tregu mbetet i orientuar nga sigurimi i automjeteve, që është i detyrueshëm me ligj. 63,25% e tregut përbëhet pikërisht nga sigurimi motorik, 20,46% nga sigurimi i pronës dhe të tjera dhe 16,3% nga sigurimi i jetës dhe shëndetit.
Të dhënat e AMF-së tregojnë edhe për rritje të pagesës së dëmeve. Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, kompanitë kanë paguar 1,5 miliardë lekë dëme, me rritje 11,8% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. (A2 Televizion)