Janë të paktën 100 viktima nga trazirat që kanë shpërthyer në Sudan, ndërsa të plagosurit mbi 365. Shpërthime dhe të shtëna me armë u raportuan mëngjesin e së hënës në kryeqytetin Kartum, teksa luftimet në vend vijojnë për të tretën ditë.
Përleshjet e përgjakshme shpërthyen mes njësive të ushtrisë, besnike të gjeneralit Abdel Fattah al-Burhan, kreu i këshillit sovran dhe forcave paraushtarake të drejtuar nga gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur si Hemedti, dhe që është zv.drejtues i këshillit. Kjo është hera e parë e shpërthimit të konfliktit, që kur dy grupet bashkuan forcat për të rrëzuar autokratin Islamik, Omar al-Bashir në vitin 2019. Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe rikthim në bisedime.
“Theksoj nevojën për një armëpushim të menjëhershëm dhe rikthim në bisedimet që premtonin të vendosnin Sudanin në rrugën e një tranzicioni të plotë drejt një qeverie të udhëhequr nga civilë”, tha Blinken.
Dhuna u nxit nga mosmarrëveshjet lidhur me integrimin e trupave paraushtarake, që njihen si Forcat e mbështetjes së shpejtë në ushtri, si pjesë e një tranzicioni nga regjim ushtarak drejt atij civil, për t’i dhënë fund krizës politike dhe ekonomike që pasoi grushtin e shtetit në 2021-shin.
Burhan dhe Hemedti u dakordësuan për një pauzë 3-orëshe në luftime nga ora 4 e pasdites për të lejuar evakuime humanitare, sipas kërkesës së OKB-së, por ujdia u shkel gjerësisht. Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se disa spitale nuk kanë më resurset kritike për të trajtuar të plagosurit. Sakaq, programi botëror i ushqimit të OKB-së pezulloi operacionin në vend, pasi 3 prej punonjësve të tij u vranë gjatë përleshjeve në Darfur. (A2 Televizion)













