Të apasionuarit pas makinave klasike kanë mundësinë të blejnë një Lancia B24 Spider America muajin e ardhshëm, kur një flotë mbresëlënëse prej 230 makinash epoke, të zbuluara në një magazinë dhe një kishë të braktisur në Holandë, do të dalë në ankand.
Sipas organizatorëve të ankandit, flota e automjeteve klasike, që besohet se kap vlerën e miliona eurove, i përkiste më herët biznesmenit nga Dordrecht, Ad Palmen, i cili filloi t'i grumbullonte makinat 40 vjet më parë.












Për shkak të moshës dhe shëndetit, ai nuk mund t'i mbante më automjetet dhe ato u blenë së fundi nga “Gallery Aaldering”, një kompani shitjesh mjetesh motorike, e drejtuar nga Nico dhe Nick Aaldering.
"Koleksioni Palmen Barnfind" do të dalë në shitje në Holandë nga 19 maji, si pjesë e një ankandi të organizuar nga Gallery Aaldering dhe Classic Car Auctions.
"Ky koleksion është me të vërtetë një mundësi unike për entuziastët dhe koleksionistët e makinave në mbarë botën për të zgjeruar koleksionin e tyre", thanë Nico dhe Nick Aaldering në një deklaratë për shtyp. (A2 Televizion)