
Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, gjatë vizitës në Gjermani u takua dhe me homologun kroat Gordan Grlić-Radman.
Temë e diskutimit mes dy ministrave të Jashtëm ishte nisja e procesit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Shqipërinë, gjatë Presidencës Kroate.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Gent Cakaj bëri me dije se gjatë mandatit të saj, Presidenca Kroate po synon hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“U pajtuam se Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet për të filluar procesin e bisedimeve për anëtarësim dhe tani është koha që BE ta gjejë ujdinë e brendshme për t'i dhënë shtysë të re procesit të zgjerimit në përgjithësi!”- shkruan Cakaj në postim. (A2 Televizion)