Tritoli në Tiranë, shpërthimi në biznesin e kozmetikës la pa energji pallatin

Nga A2 CNN
19 Tetor 2022, 15:57 | Kronikë
Tritoli në Tiranë, shpërthimi në biznesin e kozmetikës

Një shpërthim tritoli tronditi banorët e kryeqytetit pak pas mesnate në rrugën “Sami Frashëri” afër sheshit Willson. Lënda plasëse u hodh në derën e një biznesi kozmetik që ishte marrë me qira, ndërsa dyshohet se kemi të bëjmë me një sasi të madhe tritoli, kjo dhe pas dëmeve të shkaktuara jo vetëm në ambientin e dyqaneve, por edhe në pallat, i cili mbeti pa drita për shkak të shpërthimit.

Biznesi i regjistruar në emër të Enisa Pirollit kishte rreth katër muaj që funksiononte, ndërsa e reja e pyetur në polici tha se nuk kishte pasur asnjëherë probleme me persona të tjerë lidhur me aktivitetin e saj.

Paraprakisht, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë e vendosjes së tritolit për arsye konkurrence, por edhe mundësinë e ndonjë konflikti tjetër të pronarit të ambientit.

Policia sekuestroi kamerat e sigurisë të cilat kanë fiksuar momentin se si një i ri i veshur me të zeza dhe kapuç ka vënë tritolin dhe është larguar me një mjet tip golf 6 ngjyrë të zezë.

Por edhe pse u ngritën pika të shumta kontrolli në të gjitha daljet e Tiranës, sërish autori, i cili lëvizte i vetëm ka mundur të largohet.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos