Trukimi i listave me shoqatat, klubi i Erzenit bën kallëzim në prokurori për FSHF

Nga A2 CNN
18 Janar 2022, 17:29 | Futboll
Trukimi i listave me shoqatat, klubi i Erzenit bën kallëzim në

Skandalet e futbollit nuk kanë fund, por ato zgjerohen në periudhë zgjedhore. Për këtë arsye, klubi i Erzenit ka kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Durrësit personat pranë federatës.

Sipas një dokumenti që mban firmën e Altion Keçit, drejtorit të klubit shumësportësh Erzeni, kallëzimi është bërë me argumentin e shpërdorimit të detyrës nga Fundim Dallaku. Sipas akuzës, ky i fundit ka përfaqësuar në mënyrë të jashtëligjshme klubin nga Shijaku në Asamblenë e Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës, ku u votua për konfirmimin e kryetarit, teksa me kërkesë jashtë rendit të ditës u përcaktuan edhe tre delegatët që do të përfaqësojnë këtë organ në Asamblenë Zgjedhore të Federatës së Futbollit.

Sipas Keçit, i akuzuari ishte delegat në punime duke përfaqësuar Erzenin, i paautorizuar nga drejtori i klubit, asambleja apo nga kryetari i Bashkisë. Edhe pse nuk kishte asnjë tagër ligjor për të qenë pjesë e Asamblesë së Shoqatës Rajonale Durrës, Fundim Dallaku jo vetëm që ishte i pranishëm, por edhe u përcaktua në konflikt interesi edhe si një prej tre delegatëve që do të votojnë për zgjedhjen e presidentit të FSHF.

Përpos tij, delegatë me të drejtë vote u zgjodhën edhe trajneri i Kombëtares së 16-vjeçarëve, Agron Kërçova dhe kreu i Shoqatës Rajonale, Mikel Furxhi, i cili ka qenë edhe i punësuar në federatë. Paracaktimi i votave në Asamblenë e Shoqatës së Durrësit është sinjal alarmi për skemën e trukimit të krijuar përpara zgjedhjes së kreut të FSHF-së. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos