Trump dhe Biden përplasen për klimën

Nga A2 CNN
15 Shtator 2020, 11:38 | Bota
Trump dhe Biden përplasen për klimën

Ndryshimet klimatike u vunë në qendër të fushatës presidenciale amerikane dhe kontrasti mes dy kandidatëve ishte më se i dukshëm.

Presidenti Donald Trump minimizoi shqetësimet për ndryshimet klimatike gjatë një vizite në Kaliforninë e përfshirë nga flakët, e kur u pyet nga një gazetar nëse ato ishin faktor te zjarret masive, numri një i Uashingtonit habiti me përgjigjjen e tij: “Do të fillojë të freskohet. Ja, do ta shihni”.  

Zjarret në Kaliforni, Oregon dhe Uashington kanë djegur gati 2 milionë hektarë tokë dhe u kanë marrë jetën të paktën 36 personave që prej muajit gusht. Skeptik ndaj fakteve shkencore që provojnë ndryshimet klimatike, Presidenti amerikan fajëson për situtatën menaxhimin e keq të pyjeve.

Më herët, gjatë së hënës, kandidati demokrat për presidencën, Joe Biden, e quajti Trumpin një zjarrvënës të klimës: “Refuzimi i tij për të pranuar ndryshimet klimatike mund të mos i ketë shkaktuar zjarret, përmbytjet apo uraganet, por nëse ai siguron një mandat të dytë këto fenomene të tmerrshme do të bëhen edhe më të zakonshme, më shkatërruese dhe më vdekjeprurëse”. 

Në të kaluarën, Trump i ka cilësuar ndryshimet klimatike si një mit dhe jo ekzistente apo si një mashtrim i kushtueshëm. Ai i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Marrëveshja Klimatike e Parisit e cila angazhonte Shtetet e Bashkuara dhe 187 vende të tjera të ruanin rritjen e temperaturave globale nën 2 gradë celsius.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos