
A do të ketë një marrëveshje tregtare të mirëqenë mes SHBA dhe Britanisë? Kjo do të zbulohet pas vizitës së Kryeministrit të rizgjedhur Boris Johnson në Amerikë me ftesë të presidentit Donald Trump.
“Datat nuk janë caktuar ende, por mund të jetë mesi i janarit që do të shënojë edhe takimin e palëve për një marrëveshje të re”, citojnë burimet për median britanike.
Johnson dëshiron që ta bëjë vizitën para se vendi të largohet nga BE-ja më 31 janar dhe para reformimit të qeverisë së tij në muajin shkurt, ku pritet edhe caktimi i Michael Gove si ministër i ri i Tregtisë, që do duhet të përballet me gjithë procesin e shkëputjes.
Për këtë arsye, Gove do të shoqërojë Kryeministrin në këtë vizitë. Por në Downing Street qarkullojnë edhe zëra se vizita e Johnson mund të lidhet me përfshirjen e tij në hetimin ndaj Presidentit Trump nga Senati. (A2 Televizion)