
Vala e dytë e koronavirusit në Indi, por sulmon vendin me forcën e një tsunami.
Gati 315 mijë raste të reja u shënuan në 24 orët e fundit shifra më e lartë ditore e regjistruar deri më tani në botë. Vdekjet u rritën me 2104, bilanci më tragjik në vend, që prej shpërthimit të pandemisë.
Situata në spitale është e mjerueshme, dhe mungesa e oksigjenit shton shqetësimet për kolaps të mundshëm të sistemit shëndetësor.
“Kërkesa për oksigjen është rritur ndjeshëm. E duke qenë se furnizimet janë shumë të pasigurta e të çrregullta ka shumë tension në sistem”, deklaroi dr. Shiv Kumar, drejtor i Spitalit Apollo.
Një numër pacientësh kanë humbur jetën në pritje të oksigjenit, por shifra e saktë nuk dihet. Rrjetet sociale në Indi janë mbushur me thirrje për ndihmë.
“Ka pasur një rritje të kërkesës për oksigjen në këtë valë të dytë të pandemisë. Po e trajtojmë këtë çështje me shumë prioritet. Qeveritë federale dhe sektorët privatë po përpiqen t’ua mundësojnë oskigjenin të gjithë personave që kanë nevojë”, deklaroi Narendra Modi, kryeministër i Indisë.
Të paktën 22 pacientë vdiqën të mërkurën në një spital të Indisë perëndimore, si pasojë e problemeve në furnizimin me oksigjen, për shkak të rrjedhjes së verifikuar në një prej bombolave.
Një problem madhor mbetet tejmbushja e spitaleve, me turma njerëzish që qëndrojnë jashtë qendrave shëndetësore në qytetet më të mëdha, në pritje të lirimit të ndonjë vendi. Rritja e numrit të infektimeve i atribuohet mungesës së protokolleve të sigurisë, një festë tradiconale me miliona pjesëmarrës, varianteve të reja të virusit e gjithashtu tubimeve elektorale për zgjedhjet. (A2 Televizion)