Turi i parë kualifikues, Europa League, Teuta nuk i trembet Beitar Jerusalem

Nga A2 CNN
25 Gusht 2020, 16:59 | Futboll
Turi i parë kualifikues, Europa League, Teuta nuk i trembet Beitar

Largimi i kapitenit Kallaku apo shorti që nuk u tregua shumë bujar, nuk e kanë ndryshuar objektivin e Teutës. Fituesit e Kupës së Shqipërisë synojnë kualifikimin në turin e dytë të Europa League, edhe pse Beitari i Jeruzalemit është një rival mjaft i vështirë.

“Është mirë që luajmë vetëm me një takim në Europë, aq më tepër që luajmë në Durrës. Gjithsesi mbetet një ndeshje e vështirë, ndaj një kundërshtari të cilin nuk e doja. Në short kishim dy skuadra malazeze, por shorti na vendosi kundër izraelitëve. Janë një ekip cilësor, që kanë futbollistë të përfaqësueses. Faktori fushë na bën ta mendojmë që kualifikimi është 50 me 50 dhe shpresojmë shumë ta arrijmë”, u shpreh trajneri i Teutës, Martini.

Një prej shtyllave të ekipit gjatë edicionit të kaluar, Albano Aleksi, beson se Teuta do ta nisë sezonin e ri, aty ku përfundoi edicioni i kaluar, ku triumfoi në finalen e Kupës.

“Pas kampionatit dhe mbylljes shumë të mirë të sezonit, shpresojmë që kjo fazë përgatitore të na ndihmojë, për ta kaluar sa më mirë ndeshjen ndaj Beitarit të Jeruzalemit. Besoj se me këto përgatitje, me ardhjen e Krasniqit dhe afrimin e dy lojtarëve të tjerë, ekipi mund ta kalojë me sukses këtë tur dhe të vazhdojë më tej në Europa League”, tha mesfushori.

Mungesa e miqësoreve për shkak të situatës pandemike mbetet një problem. Kjo pasi Beitari ka qenë në aktivitet, megjithatë sipas Rustem Hoxhës, heroit të durrsakëve gjatë suksesit për 100-vjetorin, Teuta do të tregojë cilësitë e saj.

Ndeshja ndërmjet Teutës dhe Beitarit të Jeruzalemit luhet këtë të enjte, më 27 gusht, në stadiumin “Niko Dovana”, prej orës 16:30. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos