
Operatorët turistikë i kanë drejtuar zyrtarisht qeverisë një paketë propozimesh për ndihmë në përballimin e efekteve të pandemisë së COVID 19, që ende po godet këtë sektor.
Nëpërmjet një letre drejtuar kryeministrit, ministrit të Turizmit, ministres së Financave dhe ministrit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Shoqata e Turoperatorëve kërkon mbështetje të veçantë për këto biznese dhe agjencitë turistike, guidat dhe transportin turistik qe janë edhe grupimi më i prekur dhe pothuajse pa aktivitet gjatë gjithë vitit.
Tur operatorët propozojnë që paketa e ripunësimit të shtrihet deri në datën 30 Shtator 2020 për punonjësit e larguar, pasi efektet e pandemisë vazhdojnë të ndihen deri më sot. Gjithashtu, kërkohet mbështetje për punonjësit e mbajtur në punë, pasi është hera e dytë që pikërisht ky grupim punonjësish nuk përfshihet në skemat mbështetëse të qeverisë.
Një tjetër kërkesë e operatorëve turistikë është mbështetja me skemë të veçantë për sektorin, siç është zbatuar edhe nga shumë vende fqinje. (A2 Televizion)