
Përballë demokratëve që paralajmërojnë me bllokim të Reformës Zgjedhore, duke përdorur veton, socialistët kundërpërgjigjen me forcën e kartonit. Taulant Balla kërcënoi opozitën me votim të njëanshëm të propozimeve të mazhorancës, ndërsa bëri të qartë se nuk preferon listat e hapura për këshillat bashkiakë.
Vetos së demokratëve për Reformën Zgjedhore, socialistët i kundërpërgjigjen me forcën e kartonit. Taulant Balla i rikujtoi opozitës se mazhoranca ka propozimet dhe numrat për të rikthyer numërimin në qendrat e votimit dhe depolitizimin e komisioneve zgjedhore.
I njëjti paralajmërim vlen për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që vijnë si reflektim i risive në Reformën Administrative Territoriale.
Balla refuzoi propozimin e Sali Berishës për lista të hapura në këshillat bashkiakë, duke u kujdesur të nënvizojë se është vetëm opinion i tij personal.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor kërkojnë shumicë të cilësuar prej 84votash në Parlament, prag të cilin PS e kalon me ndihmën e 3 deputetëve të PSD-së. (A2 Televizion)