Turqia ndalon muzikën në mesnatë, shpërthen revolta kundër Erdoganit

Nga A2 CNN
22 Qershor 2021, 11:42 | Ballkani
Turqia ndalon muzikën në mesnatë, shpërthen revolta

"Na vjen keq, por askush nuk ka të drejtë të shqetësojë të tjerët natën". Me këto fjalë, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan motivoi vendimin e qeverisë së tij për mbylljen e sallave të koncerteve dhe ndërprerjen e muzikës në klube në mesnatë, pasi i njoftoi kombit heqjen nga 1 korriku të kufizimeve kryesore anti-Covid.

Një iniciativë kjo që po shkakton një stuhi polemikash në mediat sociale, ku mijëra përdorues akuzojnë ekzekutivin për shfrytëzimin e pandemisë për të ndëshkuar stilin e jetesës.

"Ne jemi ofenduar" (#kusurabakiyoruz), është hashtag që është bërë viral në këto orë, duke përmbysur fjalët e kreut të shtetit. Protesta të menjëhershme erdhën gjithashtu edhe nga bota e muzikës.

"Nëse të shqetëson, mos e dëgjo", komentoi këngëtarja Gaye Su Akyol në Twitter, duke iu drejtuar drejtpërdrejtë presidentit Erdogan.

"Muzika nuk shqetëson, por shëron shpirtrat e shqetësuar. Muzikantët nuk shqetësojnë, ata prodhojnë art", shkroi në Twitter, këngëtarja Aylin Aslim.

Reagime të forta vijnë gjithashtu nga opozita, sipas të cilëve ekzekutivi "nuk po lufton me koronavirusin, por me stilin e jetës së njerëzve".

Gjithashtu, reagime pati edhe nga bota e biznesit, që shpreh shqetësim në lidhje me kufizimet e ardhshme mbi oraret e shitjes së alkoolit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos