U dëmtua nga tërmeti, pallati me dy raporte teknike, pezull prej 3 vitesh

Nga A2 CNN
30 Mars 2022, 14:56 | Aktualitet
U dëmtua nga tërmeti, pallati me dy raporte teknike, pezull prej 3

Kur kanë kaluar dy vjet e gjysmë nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 në Durrës, banorët e pallatit nr. 15 në lagjen 12 pranë ish-tregut industrial, janë ende të paqartë se çfarë do të ndodhë me pallatin e tyre.

Në mënyrë paradoksale për të njëjtin objekt ekzistojnë dy raporte teknike mbi qëndrueshmërinë e pallatit. Njëri i bërë në vitin 2020, me ekspertizën e ekspertëve të ardhur nga Izraeli, i cili e nxjerr pallatin me dëmtime të shkallës ds3, pra i riparueshëm dhe një tjetër i dalë rreth një vit më parë nga Instituti i Ndërtimit, e nxjerr pallatin me probleme serioze sa i takon qëndrueshmërisë së tij.

Gjatë kësaj kohe, 65 familjet e këtij pallati përveç bonusit të qirasë, kanë përfituar edhe shumat nga 500 mijë lekë të reja për riparimin e dëmeve. Por që këto dëme nuk janë riparuar pasi pallatit i është shkëputur edhe energjia, edhe furnizimi me ujë.

Ndërsa aktualisht, banorët kanë ngritur dyshime se interesa të caktuara të një apo dy personave po lobojnë që pallatin ta shembin, në një kohë që sipas tyre me riparim murali objekti kthehet në gjendje normale.

https://a2news.com/2021/11/08/durres-protesta-e-banoreve-dy-vjet-ne-pritje-per-riparimin-e-pallatit/

Ajo që e ka bërë akoma më të paqartë këtë histori është edhe fakti që bashkia deri më tani nuk ka dhënë asnjë sqarim këtyre banorëve. Ashtu sikurse edhe interesimit të A2CNN për rastin në fjalë nuk i ka dhënë asnjë sqarim, duhet lënë pikëpyetje të mëdha mbi të ardhmen e këtij objekti, ndërsa familjet prej tre vitesh shëtisin me plaçka në duar sa nga një shtëpi me qira në tjetrën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos