
Kështu e priti maxhoranca fjalën e djalit të Aqif Rakipit, Ornaldo Rakipi në parlament, i cili njoftoi se babai i tij po përgatitet të apelojë vendimin e Departamentit Amerikan të Thesarit.
“Im atë po ndërmerr çdo hap institucional dhe ligjor, për të çuar në vend këtë padrejtësi. Ne sigurisht e vlerësojmë administratën amerikane, dhe vendimi i tyre e ka dhënë vetë mundësinë e apelimit. Procedurë që tashmë është në rrugë e sipër”, tha Ornaldo në Parlament.
Në foltoren e Kuvendit deputeti socialist tregoi se babai i tij kishte gjetur nga i kishte ardhur e keq që e bëri pjesë të listës së zezë amerikane.
“Aqif Rakipi është përmendur dhe përgojuar shpesh kohët e fundit, sidomos nga Lulzim Basha dhe ndonjë njeri i afërt me të. Eshtë demonizuar pa të drejtë dhe është hedhur shumë baltë mbi të. Kam një fjalë për Lulzim Bashën. Ndryshe, po shumë ndryshe nga ti, babai im ka një cilësi që shqiptarët e duan, që quhet burrni”, shtoi deputeti socialist.
Ndonëse amerikanët e akuzojnë babain e deputetit të PS-së si pjesë të grupeve kriminale, influencë të paligjshme në Tiranë e Elbasan dhe shitjblerje votash, Ornaldo Rakipi u shpreh krenar për numrin e votave që arrit të merrte në 25 prillin e 2021.
“Është kjo arsyeja pse ai është votuar. Është kjo arsyeja pse unë kam marrë mbështetje. Sa për akuzat, unë ju ftoj ju, median dhe çdo njeri që është sot i shqetësuar. Jam këtu për të shërbyer e për të justifikuar besimin që më është dhënë nga rreth 16 mijë qytetarë”, përfundoi Ornaldo Rakipi.
Krahas djalit, në sallën e Kuvendit Aqif Rakipi ka edhe dhëndrin e familjes, Saimir Hasalli i cili ende nuk është prononcuar mbi vendimin e Departamentit Amerikan të Thesarit. (A2 Televizion)