
Policia ka dhënë detaje në lidhje me trupin e dekompozuar të gjetur dy ditë më parë në malin e Gramozit, në vendin e quajtur “Hau i Kreshovës”.
Sipas njoftimit të policia, viktima dyshohet të jetë qëlluar me një plumb në kokë. “Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e viktimës, nga këqyrja e skeletit, në pjesën e kafkës është konstatuar një vrimë tejshpuese që dyshohet se mund të jetë shkaktuar nga përdorimi i armës së zjarrit. Nga kontrolli i ushtruar në vendngjarje, nuk është gjetur gëzhojë apo predhë arme zjarri. Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan një xhup, brenda të cilit kishte një aparat celular”.
Nga të dhënat e deritanishme dyshohet se trupi i përket shtetasit Sh. M., 29 vjeç, banues në fshatin Starje, Kolonjë, i cili rezulton i larguar nga banesa që pas kallëzimit të bërë nga babai i tij, më datë 10.11.2021, pranë Komisariatit të Policisë Kolonjë. (A2 Televizion)